PKK Qafë Thanë
Finalizohet nga Seksioni i Hetimit i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, operacioni policor i koduar “Depozita”.
Kontrabandoi në Shqipëri, një sasi nafte, kapet në flagrancë gjatë transportimit të saj dhe vihet në pranga.
Procedohet penalisht një doganier, për shpërdorim detyre.
Sekuestrohet depozita me naftë.
Në vijim të punës së intensifikuar të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, gjatë sezonit veror, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, është goditur një rast i kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.
Në afërsi të PKK Qafë Thanë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin I. M. Gjatë kontrollit në automjet u konstatua një depozitë rezervë me një sasi nafte, për të cilën shtetasi I. M. nuk kishte ndonjë dokument apo faturë.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin I. M., 64 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin V. B., 56 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë doganier në PKK Qafë Thanë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontroll në automjetin e shtetasit I. M.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.