PKK Qafë Prush
Finalizohet operacioni policor i koduar “Korridori”, për goditjen e një tentative për të trafikuar drejt Kosovës, lëndë narkotike cannabis sativa.
Operacioni, rezultat i analizës së riskut, të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Qafë Prush, bazuar në inteligjencën policore të siguruar në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.
Operacioni ka vijuar më pas, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me Prokurorinë e Kukësit.
Sekuestrohen rreth 32.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe automjeti tip “Peugeot” me të cilin transportohej lënda.
Vihet në pranga 38-vjeçari nga Kosova, i cili transportonte lëndën narkotike të ndarë në pako.
Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kapen menjëherë, në Kosovë, 2 prej të dyshuarve si organizatorë të sigurimit dhe të trafikimit të lëndës narkotike.
Strukturat për Hetimin e Narkotikëve të DVP Kukës, në bashkëpunim me Prokurorinë, si rezultat i hetimeve, kanë identifikuar 3 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë rast. Vijon puna për kapjen e tyre, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë, në fushën e narkotikëve, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Qafë Prush dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Korridori”.
Gjatë operacionit, në dalje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi J. K., 38 vjeç, banues në Gjakovë, pasi nga kontrolli në automjetin tip “Peugeot” që drejtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën rreth 32.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. Sasia e lëndës narkotike, e ndarë në disa pako, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 38-vjeçarit.
Nga hetimet rezultoi se shtetasit J. K., automjetin së bashku me lëndën narkotike, ia kishin dhënë në Morinë, shtetasit G. M., nga Kosova, dhe A. A., nga Maqedonia e Veriut. Shtetasi J. K., kundrejt pagesës, do ta kalonte lëndën narkotike, në Kosovë, nëpërmjet PKK Qafë Prush.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe koordinimit me Policinë e Kosovës, u bë e mundur kapja në Kosovë, e shtetasve G. M. dhe A. A.
Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se në këtë rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, janë të përfshirë dhe 1 shtetas maqedonas dhe 2 shtetas serbë. Në bashkëpunim me policitë homologe, vijon puna për kapjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.