PKK Morinë
Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga autoritetet e Italisë, për pjesëmarrje në grup kriminal dhe trafikim të lëndëve narkotike, arrestohet me qëllim ekstradimin, 31 – vjeçari nga Vlora.
Krahas angazhimit maksimal për të ofruar shërbim cilësor, të shpejtë dhe me etikë, për qytetarët në hyrje/dalje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë kanë vijuar punën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pkk.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Roma, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht D. H., 31 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për veprat penale “Pjesëmarrje në grup kriminal” dhe “Trafikimi i lëndëve”, kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Italisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Itali, vijon procedurat për ekstradimin e 31-vjeçarit.