Përurohet Zyra e Shërbimit për Qytetarët në Komisariatin e Policisë Librazhd

Librazhd

Përurohet Zyra e Shërbimit për Qytetarët në Komisariatin e Policisë

Në përfundim të rikonstruksionit të Zyrës së Shërbimit për Qytetarët në Komisariatin e Policisë Librazhd në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, financuar nga Programi SCAP dhe vënies në funksion të plotë të saj për t’i ofruar një shërbim sa më cilësor komunitetit, gjatë paradites së sotme u zhvillua ceremonia e përurimit, ku morën  pjesë Ministri i Brendshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Departamentit për Sigurinë, Drejtori Vendor i Policisë, Kryetari i Bashkisë Librazhd, Zv/Ambasadorja  Suedeze dhe drejtuesit e Programit SCAP.

Zyra e shërbimit për qytetarët do të ofrojë për rreth 82 mijë banorë një shërbim të unifikuar, cilësor dhe në kohë.

Fjala e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan Arian Muça me rastin e inaugurimit të zyrës së pritjes së qytetarëve në Komisariatin e Policisë Librazhd.

I nderuar  Ministër i Brendshëm z. Lleshaj

E nderuar Zv/Ambasadore znj.Burcher

I nderuar Kryetar i Bashkisë

Të nderuar drejtues të Projektit SCAP

Të nderuar punonjës të policisë së Komisariatit të Policisë Librazhd

Të nderuar pjesëmarrës,

Ceremonia e sotme është e një rëndësie të veçantë, pasi ne sot përurojmë Zyrën e Shërbimit të Qytetarëve, zyrë e cila vendos një urë komunikimi të ri mes Policisë dhe Qytetarëve edhe në rrethin e Librazhdit, urë komunikimi e cila vitet e fundit pothuaj është vendosur në shumicën e Drejtorive dhe Komisariateve të Policisë. E them këtë në shumicën e rasteve, pasi kemi dhe dy komisariate në qarkun Elbasan ku duhet të hapim zyra të tilla për t’u shërbyer qytetarëve.

Tashmë Komisariati i Policisë Librazhd ka një pamje më miqësore për qytetarët, ka një zyrë të re që ofron një shërbim të unifikuar, cilësor dhe në kohë, duke shmangur çdo anë negative që mund të jetë identifikuar deri sot dhe padyshim që ky ndryshim  do çojë në rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia.

Policia e Shtetit, tashmë po aplikon filozofinë më të përparuar të policimit, atë të Policimit në Komunitet, ku në bashkëpunim të ngushtë me Programin Suedez, u bë i mundur përfundimi i rikonstruksionit dhe përmirësimi i kushteve të pritjes së qytetarëve. Shembull i kësaj punë është dhe zyra e pritjes së qytetarëve këtu në Komisariatin e Policisë Librazhd.

Ndaj dua të falënderoj partnerin tonë të suksesshëm, Programin Suedez (SCAP), i cili është financuesi i këtij projekti kaq komod, që i shtohet listës së ambienteve  në shërbim të qytetarëve, të rikonstruktuara në DVP Elbasan, ku para pak muajsh përfundoi rikonstruksioni i Sallës së Komandimit, i një zyre për SPZ e investime të tjera nga ky program.

Në punën tonë të përditshme ne kemi aleat kryesor qytetarin dhe për këtë punojmë çdo ditë që ta ruajmë dhe ta forcojmë këtë aleancë, pasi ndërtimi i një partneriteti solid jo vetëm me qytetarin por edhe me pushtetin vendor është domosdoshmëri  për të rritur parametrat e sigurisë.

Policia e Shtetit, vitet e fundit ka përsosur format dhe mënyrat e komunikimit me qytetarët, ku përveç numrit unik 112 ku janë grupuar gjithë numrat e  shërbimeve emergjente, kemi një aplikacion që me kënaqësi e them është i vetmi në Europë,  Komisariatin Dixhital, mjafton një klik nga çdo telefon celular për të denoncuar paligjshmërinë në çdo cep të vendit.

Në kuadër të strategjisë së Policisë së Shtetit për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës, modernizimin e pajisjeve dhe teknologjisë për policinë është rasti për të theksuar se në buxhetin e Policisë së Shtetit është parashikuar të fillojnë punimet edhe për rikonstruksionin e godinave në DVP Elbasan.

Të nderuar pjesëmarrës.

Duke pasur besim tek profesionalizmi dhe përkushtimi i çdo punonjësi policie, dua të siguroj të gjithë qytetarët e qarkut Elbasan se Policia është e angazhuar, e motivuar dhe e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi,  duke krijuar një ambient shoqëror sa më të sigurt.