Në kuadër të planit të masave të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoritë Vendore të Policisë dhe komisariatet në varësi të DVP-ve ku do të ketë zgjedhje lokale, kanë përfunduar instruktazhin e punonjësve të angazhuar në ruajtjen e objekteve zgjedhore.
612 punonjësit e Policisë janë trajnuar dhe pajisur me librin e xhepit dhe dokumentin identifikues, sipas numrit kodik. Lista e punonjësve dhe mjeteve të angazhuara është miratuar nga KQZ.
Janë ngritur grupet e drejtimit në komisariate dhe Grupi i Koordinimit në DVP, i cili koordinon veprimet me Grupin e Drejtimit në DPPSH, për të ndjekur në kohë reale mbarëvajtjen e procesit dhe për të menaxhuar çdo situatë, në zbatim të planit të posaçëm të masave.
Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast që cenon të drejtën e tyre për të votuar apo që synon të tjetërsojë votën e tyre.




