Në zbatim të detyrave institucionale që i ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor, shërbimet e Policisë që ishin të planëzuara për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit, mëngjesin e sotëm kanë dorëzuar objektet zgjedhore që sot shërbejnë si qendra votimi.
Gjatë shërbimit prej mbrëmjes së djeshme deri mëngjesin e sotëm, nuk është shënuar asnjë problem dhe punonjësit e Policisë, pasi kanë marrë nga komisionet procesverbalet e dorëzimit në rregull të objekteve, janë tërhequr nga qendrat e votimit dhe janë dislokuar në vendet e përcaktuara, për të qëndruar në gatishmëri.
Punonjësit e Policisë do të rikthehen pranë qendrave të votimit për shoqërimin e materialeve në drejtim të KZAZ-ve.
Ndërkohë, në DVP-të Vlorë, Dibër, Gjirokastër, Berat e Elbasan funksionojnë grupet e drejtimit që koordinojnë veprimet me grupin e monitorimit dhe menaxhimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Deri në këto momente, situata e rendit dhe sigurisë publike paraqitet e qetë dhe pa probleme.
Policia e Shtetit mbetet në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë në të gjithë territorin ku zhvillohet procesi i votimit, me qëllim sigurimin e një procesi sa më të qetë.



