Përcillen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, 3 Dëshmorë të Policisë së Shtetit

Zhvillohet ceremonia e përcjelljes së 3 Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Mesditën e sotme është zhvilluar ceremonia për varrimin në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të ish-punonjësve të Policisë, të shpallur Dëshmorë të Atdheut, Artan Cuku, Elham Elezaj dhe Rufan Hakrama.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano:

I nderuar zv.ministër i Brendshëm,
Fort të dashur familjarë të kolegëve tanë të rënë në fushëbetejën për mbrojtjen e jetës,
Të nderuar kolegë, pasues të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit shqiptar,

Për të gjithë ne, ndonëse jeta na ka rrahur me ashpërsinë e saj, mund të them se ceremonia e sotme është dhe do të mbetet si një nga momentet më prekëse dhe kuptimplota që mund të përjetojë çdo punonjës policie në karrierën e tij.

Në këtë veprimtari, nuk na bashkon vetëm kujtimi i të rënëve, por edhe vazhdimësia e asaj që ata ndërtuan, e cila së pari përfaqësohet nga ju, pararendës e pasardhës të drejtpërdrejtë të tyre, por edhe ne, pasuesit e tyre në detyrë.

Kujtimi për policët e rënë, tanimë në vetëdijet e të gjithë shqiptarëve, është shndërruar në një memorial të pakohë, i cili kohë pas kohe po merr përmasat e një panteoni.

Nuk janë vetëm hapësirat dhe konceptet arkitekturore ato që përbëjnë panteonët, kudo në botë ku është bërë histori, por mbi çdo gjë, janë emrat e ndritur dhe vepra e tyre, treguesit kryesorë që i japin kuptim kësaj fjale, e cila mbi të gjitha do të thotë përjetësi!

Rivarrimi i eshtrave të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, Artan CUKU, Elham ELEZAJ dhe Rufan HAKRAMA, në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë, është akti më i lartë kur një vend nderon bijtë e tij më të denjë, jetën dhe veprën e tyre, e cila ditë pas dite po plotëson faqet më kuptimplota të historisë së këtyre viteve.

Ata sot po i përcjellim drejt vendprehjes që meritojnë të gjithë ata që ngrihen mbi jetët e tyre dhe nuk përfaqësojnë vetëm vetveten, por të gjithë ne, që çdo ditë do të motivohemi e nxjerrim mësimet më të vyera nga jeta që ata jetuan, jo vetëm për vete, por edhe për bashkëkombësit e tyre.

Në këtë moment që ndriçon historinë e armës sonë, ne kemi përgjegjësinë ta shndërrojmë këtë vend, në një hapësirë më të sigurtë dhe gjithmonë e më imune nga dukuritë negative që gëlojnë brenda një shoqërie me fenomene që synojnë ta shpërfytyrojnë atë.

Deri më tani, kriminaliteti me gjithë ndonjë periudhë kur mund të jetë dukur sikur ka bërë deri diku përpara, në të vërtetë betejën me shtetin e ka pasur dhe do ta ketë gjithmonë të humbur.

Për çdokënd, ndershmëria dhe dinjiteti janë një pasuri e madhe për të cilën shoqëria jonë ka nevojë ta shohë e ta ndjejë në çdo arterie të sajën dhe tani e tutje ish-kolegët tanë janë modelet më të praruara, që edhe me heshtjen e tyre na rrëfejnë se njeriu, ashtu siç e përmendte edhe Nënë Tereza, ka lindur për të krijuar vepra të mëdha!

Çdo fjalë e jona sot, sado e ndjerë dhe me peshën e vërtetësisë që bart, nuk do të mund të plotësojë në peshën e tyre, lutjet dhe mirënjohjen tonë që do t’i përsëritim shpesh, herë veç e veç, e herë bashkërisht, në këtë ritual i cili nis e nuk përfundon në këtë vend, por në mbarë Shqipërinë, atdheut që iu kushtua ky vetëmohim e dashuri nga bijtë e saj.

I PËRJETSHËM QOFTË KUJTIMI I TYRE!

Ju faleminderit!