Peqin – Vijon kontrolli i territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Vihen në pranga dy shtetas dhe një shpallet në kërkim

Sekuestrohen 300 kubikë të mbjellë me fidanë kanabis, tre automjete, një sasi lekësh e sende të tjera.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, në bashkëpunim me forcat operacionale të DVP Elbasan, në zbatim të planit operacional për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative dhe si rezultat i kontrollit të territorit, kanë bërë të mundur evidentimin dhe goditjen e një rasti të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Si rezultat janë kapur dhe arrestuar në flagrancë në tentativë për të kultivuar bimë narkotike, në vendin e quajtur ‘’Zgabel i Madh’’, në fshatin Pajovë të Njësisë Administrative Pajovë të Bashkisë Peqin, shtetasit:

K. D., 25 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe Sh. K. 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Pajovë, Bashkia Peqin.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi M. K., 31 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.

Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 300 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, kubikë me pleh për të kultivuar fara kanabisi, një pajisje me helikë centrifugale me motor me depozitë karburanti në të, çadër si ato ushtarake, një sasi lekësh, tre automjete fuoristrada pa targa, në pronësi të shtetasit Sh. K. dhe pajisje shtëpiake.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjygjësor Elbasan, për veprën penale ‘’Kultivimi i bimëve narkotike, në bashkëpunim’’.