Arrestohet një prej autorëve, shpallen në kërkim katër të tjerë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe i punës hetimore intensive, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e një prej autorëve dhe shpalljen në kërkim të katër autorëve të tjerë. Konkretisht u arrestua shtetasi:
Xh. S., 24 vjeç, banues në Patos.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve:
E. S., 28 vjeç; V. S., 23 vjeç; A. S., 24 vjeç dhe K. S., 32 vjeç, të katërt banues në Patos.
Këta shtetas, në datën 17.08.2020, rreth orës 19:00, në afërsi të Stadiumit në Patos, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë tentuar të rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin K. S., i cili ka mbetur i plagosur dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Fier, nën kujdesin e mjekëve.
Për këtë ngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5 gëzhoja pistolete, si edhe 4 automjete të autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” , “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit e mbetur në tentativë” të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.