Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën kishte qëlluar në ajër, si dhe një sasi fishekësh luftarakë.
Shërbimet e Policisë pas telefonatës së marrë në numrin 112 se në Grizë, Patos, në orët e vona të mbrëmjes janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta, bazuar dhe në informacionin e marrë nga banorët, kanë bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit A.B., 51 vjeç, banues në Fier.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka qëlluar në ajër me armë zjarri, pranë magazinës së tij. Gjatë kontrollit në ambientet e magazinës u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë dhe 3 krehëra me fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prishja e qetësisë publike”.