Pajisje të teknologjisë së fundit, tashmë në dispozicion të Policisë Kufitare

Pajisje të teknologjisë së fundit, tashmë në dispozicion të Policisë Kufitare.

Donacioni, nga Projekti EU4FAST – “Mbështetja e BE-së për forcimin e luftës kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor”, mbështetur nga Bashkimi Europian, qeveria Gjermane, Ministria e Brendshme italiane dhe Ministria e Jashtme holandeze.

Dorëzimi i pajisjeve moderne (lexues pasaportash, lexues dokumentash dhe dedektorë) u bë nga Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Sh. T. Z. Karlfried Bergner dhe nga Përfaqësuesja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, znj. Francesca Varlese, gjatë një ceremonie të organizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në ceremoni morën pjesë dhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtues i Parë Saimir Muçaj, drejtues të tjerë të lartë të Policisë së Shtetit, dy oficerët ndërlidhës, ai i Policisë Federale Gjermane për Kufirin në Shqipëri dhe ai për Ballkanin Perëndimor, si dhe përfaqësues të Projektit EU4FAST në Shqipëri.

Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e dorëzimit, Zëvendësdrejtori Bizhga falënderoi, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ambasadorin e Gjermanisë dhe Menaxheren e Projektit, për mbështetjen konsistente të dhënë prej tyre në funksion të modernizimit të strukturave të Policisë së Shtetit. Ai theksoi se pajisjet bashkëkohore do t’i vihen menjëherë në dispozicion Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe do të kenë një impakt tepër pozitiv për parandalimin, konstatimin e menjëhershëm dhe goditjen e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore dhe të lëvizjes ilegale të emigrantëve.

Ndërkaq, gjatë ceremonisë, Ambasadori Bergner theksoi:
“Ky moment përfaqëson më shumë sesa thjesht dorëzimin e disa pajisjeve teknike. Ai është një sinjal i fortë i angazhimit tonë të përbashkët për të forcuar sundimin e ligjit dhe për luftën kundër krimit të organizuar. Gjermania mbetet krenare që mbështet Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor në përmirësimin e menaxhimit të kufijve dhe mbrojtjen e njerëzve vulnerabël. Kjo përpjekje është pjesë e një qasjeje më të gjerë dhe të koordinuar, që përfshin Gjermaninë, Bashkimin Europian, Italinë, Francën dhe Holandën, të cilët punojnë së bashku për të përmirësuar kushtet për parandalimin dhe luftimin e kontrabandimit dhe trafikimit të migrantëve, në përputhje me standardet e BE-së.”

Më tej, znj. Varlese u shpreh:
“Kontrabandimi i migrantëve dhe trafikimi i qenieve njerëzore janë krime të shëmtuara që shfrytëzojnë të cenueshmit, minojnë sundimin e ligjit dhe kërcënojnë sigurinë tonë. Ballkani Perëndimor, si një rajon kyç tranziti, luan një rol vendimtar në këtë luftë. BE-ja ka qëndruar në krahun tuaj, duke ofruar mbështetje financiare, ekspertizë dhe trajnime, për të forcuar kapacitetet dhe për të siguruar një përgjigje të bashkuar.”