Organizohet Tryeza e Katërt Teknike, me përfaqësues të Policisë shqiptare dhe të Policisë italiane

Policia e Shtetit

Policia e Shtetit dhe Policia e Italisë konsolidojnë bashkëpunimin e ndërtuar mbi reciprocitet, besim dhe profesionalizëm, në interes të qytetarëve të të dy vendeve.

Organizohet Tryeza e Katërt Teknike, me pjesëmarrjen e Zëvendësministrit të Brendshëm z. Julian Hodaj, Ambasadorit të Italisë Sh. T. Z. Fabrizio Bucci, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Sigurisë Publike të Italisë, njëkohësisht Drejtor Qendror i Policisë Kriminale, Prefekt Raffaele Grassi, Drejtuesit të Zyrës Ndërlidhëse të Interforcës, njëkohësisht ekspert për sigurinë, Nënkuestor Salvatore Gava, drejtuesve të lartë të departamenteve kryesore të të dyja policive dhe të Rektorit të Akademisë së Sigurisë së Policisë së Shtetit.

Tryeza Teknike, tashmë traditë e partneritetit policor ndërmjet 2 vendeve, evidentoi rezultatet e arrira deri më tani, si dhe përcaktoi objektivat për të ardhmen.

Te rezultatet e arrira gjatë këtij viti, që janë më pozitivet krahasuar me çdo periudhë të mëparshme, ndikuan këto aspekte:

✅Puna intensive e 14 skuadrave të përbashkëta hetimore, me ekspertë të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Italisë, shkatërroi organizata dhe grupe kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit të narkotikëve, të cilat vepronin në të dyja vendet dhe më tej;

✅Monitorimi ajror i pakufizuar i territorit të vendit tonë, nga shërbimet e Guardia di Finanza-s, për të përcaktuar koordinatat, ku menjëherë më pas shërbimet e Policisë së Shtetit ndërhynë për të goditur veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike;

✅Koordinimi i punës së Policisë, nga Zyra e Interforcës italiane, në Shqipëri dhe nga Zyra e Ekspertit për Sigurinë pranë Ambasadës së Republikës së Italisë në Shqipëri, solli si rezultat që këtë vit të mos kemi asnjë kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, të trafikuar drejt Italisë, nëpërmjet rrugëve detare;

✅Patrullimet e përbashkëta gjatë sezonit veror 2023, ndërtuan një imazh shumë pozitiv për qindramijëra turistë dhe vizitorë italianë që zgjodhën Shqipërinë. Gjithashtu, shërbyen për të shkëmbyer praktikat më të mira policore dhe për të konsoliduar partneritetin dhe miqësinë ndërmjet kolegëve;

✅Binjakëzimi i 2 akademive të Sigurisë, trajnimet e specializuara, shkëmbimi i lektorëve dhe hapat konkretë për arritjen e nje diplome te dyfishtë, ishin kontribut i çmuar i të dyja policive, në drejtim të edukimit dhe formimit elitë policor;

✅Projekti IPA 2019 “Lufta kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor” dhe Projekti EU4LEA, të zhvilluar me mbështetjen e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Italisë, sollën një frymë të re, shumë më aktive, përsa i përket luftës solide kundër krimit të organizuar dhe betejës së përditshme të efektivëve të Policisë, për të garantuar sundimin e ligjit;

Gjatë Tryezës së Katërt Teknike, drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Policisë së Italisë diskutuan për projekte dhe marrëveshje konkrete, të cilat do të përmirësojnë rezultatet në drejtim të garantimit të rendit publik, sigurisë, të drejtave dhe lirive të qytetarëve, si dhe do të intensifikojnë bashkëpunimin dhe partneritetin në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike, emigracionit të paligjshëm dhe pastrimit të parave.

Tryeza4Teknike 🇦🇱🇮🇹

Partnerëmedekada✅

Rezultatekonkrete👮🏻‍️👮🏻

Bashkëkundërkrimit🌎