Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Gledis Nano dhe Drejtori i Instituti i Mjekësisë Ligjore z. Bledar Xhemali nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për kryerjen e ekzaminimit toksikologjik (për lëndët psikotrope) në përputhje me kërkesat institucionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këtij ekzaminimi do t’i nënshtrohen ata punonjës policie që kanë rezultuar të dyshuar pozitivë në përdorimin e lëndëve narkotike, pas testit të kryer nga laboratori mjekësor privat “Intermedica”.
Gledis Nano: “Në kuadër të transparencës dhe të saktësisë, duke konsideruar dhe vlerësuar faktin se IML-ja është i vetmi institucion shtetëror i specializuar në këtë aspekt, si dhe për të përmbushur në mënyrën më të mirë të mundshme detyrimin e objektivitetit dhe të paanshmërisë, e çmoj me shumë rëndësi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi. Që në ditët e mia të para në këtë detyrë jam fokusuar në ndërmarrjen e nismave ligjore për të pastruar Policinë e Shtetit nga ata punonjës që abuzojnë me detyrën duke qenë përdorues të lëndëve narkotike. Kjo marrëveshje shpreh vendosmërinë time dhe të institucionit që unë përfaqësoj për të pasur punonjës policie dinjitozë, me integritet moral dhe profesional, si dhe të përkushtuar në përmbushje të detyrës dhe në shërbim të qytetarëve. Me anë të kësaj marrëveshjeje, Policia e Shtetit dëshmon gjithashtu besimin e saj ndaj institucionit të IML-së dhe ndaj profesionalizmit me të cilin stafi juaj do të kryejë këto analiza dhe do të ruajë privatësinë e të dhënave të punonjësve të Policisë”.
Bledar Xhemali: “Ju përgëzoj për punën mjaft të mirë që po bëni në krye të Policisë së Shtetit dhe për marrëdhëniet e reja që synoni të vendosni me qytetarët dhe institucionet e tjera të vendit. Ju siguroj se IML-ja do të jetë tërësisht e pavaruar, e pandikuar dhe tepër profesionale, me qëllim përmbushjen e kushteve të marrëveshjes së bashkëpunimit. Është interesi ynë publik pasja e një policie sa më dinjitoze dhe sa më të besueshme për qytetarët”.
Objekti i kësaj marrëveshjeje është bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, në drejtim të kryerjes së ekzaminimit toksikologjik në mostrat biologjike, si dhe të përcaktimit të lëndëve narkotike psikotrope nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas kërkesave institucionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kjo marrëveshje ka për qëllim vendosjen e një ure konkrete komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet DPPSH-së dhe IML-së, duke respektuar prioritetet dhe objektivat e secilës palë, të drejtat e njeriut dhe standardet profesionale.
Për të ruajtur privatësinë dhe sigurinë e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe gjithashtu për të siguruar miradministrimin e të dhënave dhe konfidencialitetin në komunikimet e ndërsjella ndërinstitucionale, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, më datë 28.02.2022, nëpërmjet Urdhërit nr.229, ka miratuar procedurën standarde të punës për testimin laboratorik për përdorimin e drogave.