Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit “Mbi luftimin e shfrytëzimit të fëmijëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore”

NJOFTIM PËR SHTYP

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit “Mbi luftimin e shfrytëzimit të fëmijëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore”.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, organizata jofitimprurëse OUR (Operation Underground Railroad), me qendër në SHBA, dhe Qendra Psiko-Sociale “Vatra” nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit “Mbi luftimin e shfrytëzimit të fëmijëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore”.

Marrëveshja u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, drejtuesja për Shqipërinë e OUR, Ann Hurst dhe drejtorja ekzekutive e Qendrës Psiko-Sociale “Vatra”, Brikena Puka.

Me anë të kësaj marrëveshjeje, Policia e Shtetit, OUR dhe “Vatra” bien dakord për të bashkëpunuar në luftën kundër shfrytëzimit të fëmijëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, duke ofruar informacionin e nevojshëm të lejuar ligjërisht për të ndihmuar në shpëtimin e fëmijëve dhe për të identifikuar ata që kanë rënë pre e trafikimit të qenieve njerëzore.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar, në luftën kundër shfrytëzimit të fëmijëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, theksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes dhe vlerësoi bashkëpunimin prej afro 25 vitesh me Qendrën “Vatra”.

“Bashkëpunimi në luftën kundër shfrytëzimit të fëmijëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, duke zbatuar metodat e shkëmbimit të informacionit dhe praktikave më të mira, është në fokus të vazhdueshëm të punës së Policisë së Shtetit, me vetëdijen e plotë të rrezikut që ky fenomen paraqet për stabilitetin dhe sigurinë”, theksoi Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku.

OUR do të ofrojë mbështetje konkrete për ngritjen e qendrave të intervistimit të të miturve në shumë struktura policore në vendin tonë.