Policia Kufitare parandalon dhe godet një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike.
Arrestohet në flagrancë një shtetas italian që tentoi të trafikonte në drejtim të Italisë, 53 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Shkodër në PKK Muriqan, në zbatim të masave shtesë për rritjen e kontrollit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike që mund të zhvillohet në pikat e kalimit si pasojë e fluksit, bazuar edhe në analizën e riskut, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër parandaluan dhe goditën një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, drejtuesin e mjetit tip “Fiat”, shtetasin italian C. T., 60 vjeç, i cili dyshohej se transportonte lëndë narkotike.
Nga kontrolli i ushtruar në mjet, duke përdorur mjete të specializuara për evidentimin dhe zbulimin e lëndës narkotike, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën në një bombol gazi të futur brenda një bombole tjetër gazi, rreth 30 kg lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate.
Po në vijim të kontrollit të imtësishëm rezultoi se brenda dy bombolave gazi të futura brenda dy bombolave të tjera gazi ishin të fshehura 23 kilogramë lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate të mbështjellë me natriban.
Në cilësinë e pronës materiale janë sekuestruar 53 kilogramë lëndë narkotike marijuanë.
Pas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit italian C. T., 60 vjeç.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve, mbetur në tentativë”.