Morinë, Kukës/Goditet një rast i tentativës për të kontrabanduar mallra në Kosovë

Morinë, Kukës

Goditet një rast i tentativës për të kontrabanduar mallra në Kosovë.

Sekuestrohen veshje të ndryshme dhe automjeti me të cilin transportoheshin ato.

Procedohet penalisht drejtuesi i automjetit.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për kontrabandë mallrash, shërbimet e DVKM Kukës kanë ndaluar në aksin rrugor që lidh fshatrat Pogaj dhe Gorozhub, Kosovë, automjetin me drejtues shtetasin V. D.

Gjatë kontrollit në automjeti u gjetën disa thasë me veshje të ndryshme, të cilat ky shtetas po tentonte t’i kontrabandonte në Kosovë.

Mallrat dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. D., 43 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Transporti i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.