Mirditë/Policia zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Fan, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi M. P.
Arrestohet autori i dyshuar i plagosjes, procedohet në gjendje të lirë vëllai i tij, i cili e ndihmoi të largohej nga vendi i ngjarjes.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë e dyshuar e përdorur për plagosjen.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë, falë veprimeve të shpejta e profesionale hetimore, duke administruar çdo provë në vendin e ngjarjes dhe pamje filmike, si dhe duke shoqëruar e pyetur disa shtetas, në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e kaluar në Fan, Mirditë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi M. P., 51 vjeç, banues në Mirditë.
Në përfundim të veprimeve procedurale është arrestuar shtetasi F. Gj., 21 vjeç, banues në Mirditë, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë vëllai i tij, shtetasi A. Gj., 21 vjeç, banues në Mirditë.
Në autostradën Rrëshen-Kukës, në Fan, Mirditë, shtetasi F. Gj. ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin M. P., i cili si pasojë ka marrë plagë në këmbë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, shtetasi A. Gj. e ka ndihmuar vëllanë e tij, shtetasin F. Gj. që të largohet nga vendi i ngjarjes dhe të fshihet.
Vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë e të gjithë personave të përfshirë në këtë konflikt, i cili ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë e dyshuar e përdorur nga autori.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në ngarkim të shtetasit F. Gj., dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, në ngarkim të shtetasit A. Gj.