Mirditë – Finalizohet operacioni i koduar “Fani”

Mirditë

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Kujdesej për bimët narkotike që kishte kultivuar në një hapësirë pyjore të fshatit Kujt, në Fan, Mirditë, vihet në pranga nga Policia 31-vjeçari.

Gjatë operacionit, Policia sekuestron në banesën e 31-vjeçarit rreth 4 kilogramë lëndë narkotike kanabis të paketuara gati për shitje, jelek antiplumb, fenelina dhe një armë gjahu.

Procedohen penalisht kryeplaku i fshatit dhe inspektori i pyjores për shpërdorim detyre.

Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë intensifikuar kontrollet në terren, të bazuara edhe në inteligjencën policore.

Në këtë kuadër, si rezultat i kontrolleve të shtuara, të mbështetura dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Lezhë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Fani”.

Si rezultat i këtij operacioni u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:

– V. N., 31 vjeç, banues në fshatin Kujt, Njësia Administrative Fan, Mirditë, i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit në afërsi të fshatit të tij, në një parcelë kishte kultivuar dhjetëra bimë të dyshuara cannabis sativa.

Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në flagrancë në parcelë duke u kujdesur për bimët narkotike në orët e mbrëmjes.

Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 4 kilogramësh lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa të cilën ky shtetas e kishte përftuar nga parcela që kishte kultivuar, një armë gjahu, simbole pamore dhe jelek antiplumb si ato të policisë.

Në vijim të operacionit, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit F. Gj., 48 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Fan dhe Sh. M., 57 vjeç, me detyrë specialist i pyjores. Këta shtetas dyshohet se nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale në zonën që mbulojnë.

Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.