Ministria e Drejtësisë dhe e Sigurisë e Mbretërisë së Holandës dhuron automjete për Policinë e Shtetit

Ministria e Drejtësisë dhe e Sigurisë e Mbretërisë së Holandës dhuron automjete në funksion të përmbushjes sa më efikase nga shërbimet e Policisë Kufitare të detyrave komplekse që rrjedhin nga evoluimi i krimeve ndërkombëtare.

Donacioni, dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese holandeze, u dorëzua nga e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Tiranë, zj. Asli Cetinel, dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Transportit dhe Shërbimeve në Ministrinë e Sigurisë dhe Drejtësisë.

Gjatë ceremonisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin u shpreh se goditja e migracionit të paligjshëm është prioritet i strukturave të Policisë, pasi ky fenomen përbën jo vetëm një ngarkesë për sistemet sociale të shteteve ku është i pranishëm, por edhe një shqetësim real për sigurinë e komunitetit.

Gjithashtu, Drejtor Muçaj u shpreh se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë ka qenë jetik për forcimin e kapaciteteve kundër kësaj veprimtarie kriminale. Më tej, gjatë fjalës së tij, Drejtori theksoi se donacioni i sotëm, përveçse forcon kapacitetet e Policisë Kufitare me automjete me elemente sigurie, mbi të gjitha është shprehje e bashkëpunimit dhe besimit reciprok.

Ndërkaq, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Mbretërisë së Holandës në Tiranë theksoi se migracioni përbën një nga sfidat më të mëdha të kohës, për luftimin e të cilit kërkohen institucione të forta dhe bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar.

Gjithashtu, zj. Cetinel theksoi se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Holandës përfaqëson një shembull konkret të partneritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët në adresimin e migracionit të parregullt dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Më tej, ajo vlerësoi se përmes bashkëpunimit policor, shkëmbimit të informacionit dhe veprimeve të përbashkëta operacionale, është arritur përparim domethënës në forcimin e sigurisë dhe menaxhimin e kufijve.

Dy automjetet e dhuruara do të vihen në funksion të punës së Qendrës së Mbyllur për të Huajt, në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin

.