Mat/Kontrolle të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Kishte përshtatur ambientet e lokalit të tij, për përdorimin e lëndëve narkotike, vihet në pranga 40-vjeçari. Gjatë kontrollit në këtë lokal u gjetën kokainë, kanabis dhe pajisje që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike.
Vihet në pranga edhe një shtetas tjetër (klient në lokal), pasi iu gjetën një sasi kanabisi dhe një dorezë metalike.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 2 të arrestuarit shpërndanin lëndë narkotike në lokal dhe në afërsi të shkollave.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas informacioneve të siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që kishte përshtatur lokalin e tij, për përdorimin e lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit A. K., në qytetin e Burrelit, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe pajisje të ndryshme që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike, të cilat u sekuestruan ne cilësinë e provës materiale.
Në ambientet e lokalit u konstatua edhe shtetasi E. K., të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një përforcues grushti (dorezë metalike), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. K., 40 vjeç, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
E. K., 30 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. K., në bashkëpunim me shtetasin E. K., shpërndante lëndë narkotike, në lokalin e tij dhe në afërsi të shkollave. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.