Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “BILETA”.
Konstatohen dhe goditen 2 raste të zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojrave të fatit, procedohen penalisht 2 pronarë subjektesh.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjmërisë, bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative, se në qytetin e Burrelit zhvillohet aktivitet i paligjshëm i lojrave të fatit, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontrolle në lokale e ambiente të ndryshme, ku u finalizua me sukses operacioni i koduar “Bileta”, si rezultat i të cilit u proceduan penalisht shtetasit :
A.S., 25 vjeç, dhe A. K., 51 vjeç, të dy banues në Burrel. Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në sukjektet e tyre “Bar Cafe”, janë gjetur dhe sekuestruar pajisje kompjuterike dhe aksesor të tjerë që shërbenin për zhvillimin e lojërave të fatit .
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë së Shkallës së Parë Mat për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë qarkun e Dibrës dhe në këtë kuadër DVP Dibër fton cilindo
të denoncojë në numrin 112 ose përmes aplikacionit ‘Komisariati Dixhital’, çdo veprimtari të tillë të kundraligjshme duke ju siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.