Mat – E kanosi dhe i mori me anë të shtrëngimit një shumë parash, një 20-vjeçari, vihet në pranga autori i dyshuar

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, si dhe në bazë dhe të informacioneve të marra në rrugë operative, bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e shtetasit Rr. Ç., 21 vjeç, banues në Elbasan, pasi, dyshohet se më datë 04.08.2022, ky shtetas, me anë të shtrëngimit, i ka marrë një shumë parash shtetasit K. S., 20 vjeç, banues në Burrel dhe e ka kanosur atë se do t’i shpërndante video personale, në rrjete sociale.

Bulqizë / Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të zjarrvënies së qëllimshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen L. M., pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e saj dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe me barishte.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.