Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Tirana International Airport SH.P.K, për një operim të sigurtë në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana International Airport SH.P.K Dr. Constantin von Alvensleben.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Operimeve Z. Volker Wendefeuer, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit Eduart Merkaj dhe Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas Përparim Demaj.

Në përfundim të nënshkrimit, Drejtor Veliu dhe Alvensleben dhanë një prononcim për median në lidhje me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

Prononcimi i plotë i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit:

Pyetje: Z. Veliu, kush do të jetë risia e bashkëpunimit me TIA-an, duke marë parasysh edhe dy ngjarje të rënda që kanë ndodhur vitet e fundit në lidhje me grabitjet dhe aktulisht që flasim, cili është roli i Policisë së Shtetit brenda rrethimit të aeroportit ndërkombëtar të vetëm të vendit?

Përgjigje: Në bazë të ligjjit që normon punën e Tirana International Airport, Policia e Shtetit duhet të ketë një marrëveshje bashkëpunimi me Tirana International Airport, një marrëveshje e cila prej tre vitesh nuk ishte nënshkruar, për faktin sepse kërkesat e përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për detyrimet që duhet të kishte Tirana Internatinal Airport nuk ishin përmushur.

Me ndryshimin e stafit dhe në vazhdën e bisedimeve që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka bërë me stafin e ri, u arrit në përmbushjen e të gjithë detyrimeve që duhet të ketë në Tirana International Airport në drejtim të rritjes së parametrave të sigurisë, por edhe të cilësisë së shërbimit që duhet t’u ofrojnë shtetasve shqiptarë, të cilët frekuentojnë këtë aeroport.

Dhe në këtë vazhdë, marrëveshja konsiston në rritjen e parametrave të sigurisë dhe detyrimit që duhet të ketë TIA përsa i përket detyrimeve që duhet të ketë ky institucion në lidhje me vendosjen e kamerave të sigurisë të një cilësie shumë të lartë dhe në shërbimin 24 orë ku të monitorohet edhe nga Policia e Shtetit.

Njëkohësisht, në kushtet e tjera të sigurisë, përsa i përket rrethimit të protokollit të hyrje-daljeve duhet të futen një sërë normash të cilat janë të përcaktuara në këtë marrëveshje që do të ndikojnë sigurisht në rritjen e parametrave të sigurisë, njëkohësisht dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Tirana International Airport.

Pyetje: A do të ketë përgjegjësi Policia brenda rrethimit të aeroportit?

Përgjigje: Përgjegjësitë e Policisë janë të normuara. Ajo si pikë kryesore ka kontrollin e hyrje-daljeve, por kryesisht Punonjësi i Policisë në bazë të marrëveshjes që është vendosur edhe për monitorimin me kamera në sallën e cila është aktualisht funksionale, por në marrëveshjen e re është përcaktuar të jetë një sallë edhe më e madhe me sisitemet e fundit, ku padyshim që Policia e Shtetit do jetë prezent në monitorim.

Njëkohësisht, në marrëveshje është përcaktuar edhe rikonstruksioni dhe shtimi i ambienteve të Komisariatit të Policisë së Kufirit, i cili ka aktivitet pranë Tirana Internatinal Airport. Njëkohësisht, do të implementojmë edhe disa sisteme të reja për të lehtësuar qoftë kontrollin e qytetarëve, por njëkohësisht edhe të punës së Policisë Kufitare.

Pyetje: Cili është përgjegjësi për administrimin e sigurisë së aeroportit, koncensionari apo Policia e Shtetit?

Përgjigje: Pra, me ligj, përgjegjësia është e Tirana International Airport, ne jemi partnerë.