Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1 Sh. A..
Ditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm Drejtues Madhor Ilir Proda nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Shoqërisë “Rezidenca Studentore Universitare Nr. 1” z. Olsi Shahini, në funksion të akomodimit sa më cilësor të studentëve që ndjekin Akademinë e Sigurisë.
Marrëveshja, në prag të vitit të ri akademik, synon të promovojë kushte sa më të mira studimi, konform standardeve europiane, nëpërmjet akomodimit të studentëve, në ambientet e Rezidencës Studentore Universitare Nr. 1 Sh. A.. Ky akt ka si objekt pagesën nga Akademia e Sigurisë e Policisë së Shtetit, e tarifës mujore të akomodimit të studentëve në këtë rezidencë.
Drejtori Proda theksoi gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, se ky bashkëpunim do të jetë një ndihmë e madhe për studentët e Akademisë së Sigurisë, si dhe një formë mbështetjeje dhe inkurajimi në rrugëtimin e tyre për t’u bërë punonjës policie.
Ndërkaq, z. Shahini falënderoi Drejtorin për bashkëpunimin dhe theksoi se subjekti që ai drejton do të bëjë më të mirën, në mënyrë që studentët e Akademisë së Sigurisë të kenë ambiente të përshtatshme, të cilat plotësojnë nevojat e tyre studentore.