Goditet një rast i veprimtarisë së paligjshme të prerjes së pyjeve.
Procedohen penalisht 2 shtetas që transportonin lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen një sasi lënde drusore pa dokumentacionin përkatës dhe automjeti që shërbente për ta transportuar.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, rreth orës 00:30, në aksin rrugor Shkafanë-Manëz, kanë konstatuar një mjet furgon me drejtues shtetasin A. Sh., dhe pasagjer shtetasin L. Sh., duke transportuar një sasi prej 5m3 dru zjarri, pa dokumentacionin përkatës, që dyshohet se ishin prerë në pyllin e fshatit Dreç, Ishëm, Manzë. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me mjetin.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë u proceduan penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasit A. Sh., 57 vjeç, dhe L. Sh., 42 vjeç, banues në Sukth, Durrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.