Në kuadër të masave të marra nga Policia Rrugore e Tiranës për drejtuesit e mjeteve që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit, në datën 01.05.2022 nëpërmjet rrjeteve sociale, është publikuar video e një mjeti ku drejtuesi i mjetit bënte manovra të rrezikshme dhe tentonte të kalonte trafikndarësen.
Falë punës intensive të mirëorganizuar, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i mjetit së bashku me drejtuesin e mjetit, shtetasin N. S.
Për kundërvajtjen e kryer, u vendos masa administrative me vlerë 15.000 lekë të rinj, pezullimi i lejes së drejtimit për 1 vit si dhe ndalimi administrativ i mjetit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.