Maliq – Shkaktuan erozion duke shpërdoruar tokën, procedohen penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas

Vijon puna për goditjen e krimeve mjedisore.

Shkaktuan erozion duke shpërdoruar tokën, procedohen penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit Ç. Ç., 50 vjeç dhe E. Ç., 25 vjeç, banues në fshatin Barç, Korçë, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në fshatin Sovjan, duke ngarkuar në dy automjete tip “Mercedes-Benz” dhe “Fiat Dukat”, pleh organik (torfë toke), të cilin e kishin siguruar në mënyrë të kundërligjshme, duke gërryer dy dynymë tokë. Për pasojë ishte krijuar erozion dhe deformim i sipërfaqes së tokës, në këtë fshat.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.