Makina inteligjente, monitorim në Rrugën e Kombit

Parandalimi i aksidenteve rrugore/Vijojnë monitorimet intensive me makinën inteligjente dhe flotën e re të makinave, të pajisura me radarë dhe lexues automatikë të targave.

Gjatë fundjavës që lamë pas, makina inteligjente dhe radarët automatikë kanë monitoruar përsëri qarkullimin e automjeteve në Rrugën e Kombit, në të dy senset e lëvizjes.

Gjatë fundjavës, në Rrugën e Kombit janë skanuar nga makina inteligjente, shpejtësi që varionin nga 138 km/h deri në 170 km/h.

Si rezultat janë pezulluar 106 leje drejtimi të drejtuesve të automjeteve me targa shqiptare, si dhe janë vendosur 131 masa administrative, me vlerë 40.000 lekë të rinj, për drejtues të automjeteve me targa kosovare.

Gjithashtu, gjatë fundjavës janë skanuar nga makina inteligjente dhe radarët automatikë në lëvizje, 243 drejtues automjetesh që qarkullonin me shpejtësi nga 125 km/h deri në 133 km/h, të cilët janë ndëshkuar me masa administrative.

Njëkohësisht janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili, 24 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara në kthesa, me rrezikshmëri për përfshirje në ngjarje rrugore.

Monitorimi intensiv do të vijojë pa ndërprerje, në të gjitha rrugët e vendit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia e Shtetit, nisur edhe nga fakti se fluksi i automjeteve po vjen në rritje, sidomos për shkak të sezonit turistik, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor.