Madrid, Spanjë
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, në konferencën për shtyp në Madrid, Spanjë, për prezantimin e rezultateve të megaoperacionit të përbashkët të koduar “DOBRA”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal në fushën e krimit të organizuar dhe u arrestuan 107 persona të dyshuar të përfshirë në krimin e organizuar në fushën e drogës.
“Mirëdita të gjithëve,
Siç e përmendën kolegët parafolës, për gati një vit pune të gjatë investiguese dhe hetimore tashmë është bërë e mundur finalizimi i këtij operacioni të madh ndërkombëtar dhe Policia shqiptare si pjesë përbërëse dhe kontribuuese direkte në finalizimin e këtij operacioni, ka qenë e përfshirë që në momentet e para duke ndihmuar dhe kontribuar me shkëmbimin e informacionit për të gjithë shtetasit shqiptarë të përfshirë dhe të identifikuar duke iu mundësuar kolegëve spanjollë, vazhdimin e mëtejshëm dhe thellimin e hetimeve, ashtu edhe në veprimet konkrete ditët e vazhdimit dhe finalizimit të operacionit me oficerë të Policisë nga Shqipëria.
Kjo vërteton edhe njëherë që Policia shqiptare tashmë është e pjekur jo vetëm profesionalisht, por është dhe një partner i besueshëm për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit, duke bërë të mundur goditjen e krimit të organizuar në të gjitha vendet dhe aty ku ka përfshirje të shtetasve shqiptarë.
Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me ndalimin e operacionit n në këtë start por do të vazhdojmë në vendin tonë duke identifikuar dhe investiguar të gjitha pronat të cilat mund të kenë ardhur si rezultat i aktivitetit kriminal për të gjithë shtetasit e përfshirë, sepse duke e goditur në pjesën ekonomike japim një goditje shumë të fortë këtij grupi kriminal, duke e paralizuar atë.
Pavarësisht se ky është operacioni i parë i përbashkët që ne zhvillojmë me kolegët spanjollë, unë besoj dhe shpresoj që do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me zhvillimin e operacioneve të përbashkëta.
Suksese!”