Lushnjë – Vihet në pranga një 37-vjeçar i cili lëvizte me lëndë narkotike, gati për shitje

Sekuestrohen doza heroine.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, kanë goditur një tjetër rast të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Për këtë rast, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi:

-D. K., 37 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjatë kontrollit në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, kanë gjetur lëndë të dyshuar narkotike, e më pas nga kontrolli i banesës janë gjetur dhjetra doza lende narkotike e dyshuar heroinë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas siguronte lëndë narkotike heroinë, i ndante në doza në banesën e tij dhe i shiste në lagje të ndryshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, një peshore elektrike, një aparat celular, një automjet dhe një shumë parash që dyshohet të jetë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.