Lushnjë – Vihen në pranga 2 shtetas

Lushnjë

✅U dogjën 350 pemë ulliri, si pasojë e zjarrit që ndezi për djegien e mbeturinave, arrestohet 57-vjeçari.

Sapo janë njoftuar për një rast zjarrvënieje në fshatin Gjuzaj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë janë nisur menjëherë drejt këtij fshati, së bashku me shërbimet zjarrfikëse. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi F. T., 57 vjeç, banues në fshatin Gjuzaj.

57-vjeçari ka ndezur zjarr në tokën e vet, për të djegur mbeturina, por si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur 350 pemë ulliri, në pronësi të një shtetasi tjetër.

✅Kishte përshtatur lokalin e tij, në fshatin Barbullinjë, për organizimin e lojërave të fatit, me makineta, arrestohet në flagrancë 44-vjeçari.

Sekuestrohet makineta që përdorej për kryerjen e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në vijim të patrullimeve në terren, të mbështetura në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë konstatuar se lokali në pronësi të shtetasit L. C., në fshatin Barbullinjë, ishte përshtatur për organizimin e lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin.

Nga kontrollet në këtë ambient, u gjet një makinetë që përdorej për këto lojëra, e cila u sekuestrua nga shërbimet e Policisë, me cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë pronari i lokalit, shtetasi L. C., 44 vjeç, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Për të dyja rastet u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.