Lushnjë – Goditet një tjetër rast i prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, sekuestrohen 205 cannabis

Lushnjë/Goditet një tjetër rast i prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, arrestohet në flagrancë një 25 vjeçar.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 205 gramë lëndë narkotike.

Në vijim të punës për zbatimin e masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Tempulli 2”, për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, goditën një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. Xh., 25 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa të cilën ky shtetas e kishte bërë gati për shitje.

Po gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, në lagjen “Kongresi”, Lushnjë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 205 gramë lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa që ky shtetas e posedonte dhe e në momentin ndërhyrjes së Policisë e hodhi në territorin e jashtëm të banesës.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, u bë arrestimi në flagrancë e shtetasit Sh. Xh., 25 vjeç, banues në Lushnjë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.