Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Lezhë.
Sekuestrohen 2 kilogramë heroinë dhe 2 armë zjarri.
Vihet në pranga 43-vjeçari.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe armëve të zjarrit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që po qarkullonte me mjet në aksin rrugor Shkodër-Lezhë dyshohej se po transportonte lëndë narkotike dhe armë zjarri, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “AKSI”.
Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Balldre, shërbimet e Policisë së DVP Lezhë, kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit tip “Renault” me drejtues shtetasin G. D., në bagazhin e modifikuar të këtij mjeti kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë 2 kg dhe 2 armë zjarri kallashnikov.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.