Lezhë/Parkoi automjetin në mënyrë të parregullt, procedohet penalisht dhe ndëshkohet me masë administrative drejtuesi i automjetit.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të parkimeve të parregullta, që pengojnë qarkullimin e lirë të përdoruesve të rrugës, konstatuan në rrugën “Luigj Gurakuqi”, Lezhë, një automjet të parkuar në mënyrë të parregullt, që pengonte lëvizjen e mjeteve të tjera.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë identifikuan drejtuesin e automjetit, shtetasi A. K., 27 vjeç, banues në Kamëz, dhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal.
Gjithashtu, shtetasi A. K. u ndëshkua me masë administrative sipas Kodit Rrugor dhe automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes në respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe të shmangin parkimet në zona të ndaluara, që pengojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve. Shkeljet e kësaj natyre do të trajtohen me masa të menjëhershme penale dhe administrative.