Kryen parakalime të rrezikshme, ndëshkohen me masa administrative 3 drejtues automjetesh
Pas publikimit të tre videove në rrjete sociale, ku shfaqeshin automjete që kryenin parakalime të rrezikshme në segmentet rrugore “Milot-Lezhë” dhe “Balldre-Lezhë”, shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, kanë kryer menjëherë veprimet për identifikimin e drejtuesve të tyre.
Në zbatim të neneve 141 dhe 127 të Kodit Rrugor, secili drejtues u ndëshkua me masën administrative 12 000 lekë, ndërsa njërit prej tyre iu zbritën edhe 10 pikë nga leja e drejtimit.
Policia Rrugore e Lezhës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë raste të tilla, pasi reagimi i Policisë do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe konform ligjit.