Fushë-Milot/Lezhë
Kryen parakalime të gabuara, ndëshkohen me masa administrative 4 drejtues automjetesh.
Pas publikimit të dy videove në faqen “Aksidente Rrugore”, ku shfaqen 4 automjete duke kryer parakalime të gabuara në akset rrugore “Lezhë-Bushnesh” dhe “Blinisht-Fishtë”, shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës kanë kryer menjëherë verifikimet.
Nga verifikimet u identifikuan drejtuesit e automjeteve, shtetasit:
A. H., banues në Tiranë, E. K., banues në Durrës dhe L. K., banues në Shkodër. Në zbatim të nenit 146 të Kodit Rrugor, secili nga këta shtetas u ndëshkua me masë administrative 3000 lekë;
E. Sh., banues në Durrës. Në zbatim të neneve 141 dhe 127 të Kodit Rrugor, ky shtetas u ndëshkua me masë administrative 12 000 lekë, si dhe iu zbritën 10 pikë nga leja e drejtimit.
Policia Rrugore e Lezhës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton ata të vijojnë të denoncojnë raste të tilla, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në përputhje me ligjin.