Lezhë
Kreu parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, ndëshkohet me masë administrative drejtuesi i automjetit.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, pas publikimit të një videoje në faqen “Harta Digjitale e Aksidenteve Rrugore”, në të cilën shfaqej një automjet që kryente parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, kanë kryer menjëherë veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Nga verifikimet, u identifikua drejtuesi dhe pronari i automjetit, shtetasi A. V., banues në Laç. Në zbatim të nenit 146 të Kodit Rrugor, ai u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë, për shkeljen e kryer.
Policia Rrugore e Lezhës falënderon qytetarët dhe median, për kontributin në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe konform ligjit.