Vihet në pranga drejtuesi i mjetit ku u gjetën doza me lëndë narkotike cannabis sativa.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas që qarkullonte me automjet, shpërndante lëndë narkotike në doza, në lagjen “Gurra”, Lezhë, shërbimet e Policisë Lezhë kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit të dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin A.L., shërbimet e Policisë gjetën doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, shtetasit A.L., 34 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.