Lezhë – Finalizohet, pas një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar “Gjobardhaj”

Lezhë/Vijojnë kontrollet e territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet, pas një hetimi disamujor, operacioni policor i koduar “Gjobardhaj”.
U kap në flagrancë duke vaditur bimët e dyshuara narkotike, vihet në pranga.
Asgjësohen me anë të djegies bimët e dyshuara narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacione policore se në fshatin Gjobardhaj po kultivoheshin bimë narkotike, kanë vijuar kontrollet e territorit, duke përdorur edhe dronë.
Si rezultat i një pune hetimore disamujore u finalizua operacioni policor i koduar “Gjobardhaj”, si rezultat i të cilit u bë e mundur goditja e rastit të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Gjobardhaj, identifikimi dhe vënia në pranga e autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasit B. P., 53 vjeç, banues në fshatin Ungrej, i cili u kap në flagrancë duke vaditur bimët narkotike.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.