Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shënkolli’, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet policore në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Kishte përshtatur një ambient pranë banesës për kultivimin e bimëve narkotike dhe mbante armë gjahu pa leje në banesë, vihet në pranga 49-vjeçari.
Sekuestrohen disa fidanë narkotikë të kultivuar në kubikë dhe vazo, aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike dhe një armë gjahu çifte.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi disaditor, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Shënkolli”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
L. N., 49 vjeç, banues në Shënkollë, Lezhë.
Ky shtetas kishte kultivuar disa fidanë narkotikë të dyshuar cannabis sativa në kubikë dhe vazo, në bodrumin e një ambienti të mbyllur që e kishte përshtatur me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit të banesës iu gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu çifte që e mbante pa leje dhe pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në ambientin e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike “.