Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Last minute”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e lojërave të fatit

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Lezhë.
Sekuestrohen 2 aparate celulare që shërbenin për vënien e basteve sportive online.
Vihen në pranga 2 bashkëpronarët që kishin vënë në dispozicion ambientet e lokalit të tyre, për organizimin e lojërave të fatit.
Në vijim të kontrolleve të ushtruara në lokale dhe ambiente të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të ushtrimit të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last minute”.
Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-B. H., 33 vjeç dhe I. K.,38 vjeç, banues në Lezhë, bashkëpronarë të lokalit në të cilin zhvillohej aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, këtyre shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan 2 aparate celulare që përdoreshin për vënien e basteve sportive online.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.