Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Blinisht”.
Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga autori i dyshuar. Sekuestrohen 230 fidanë të dyshuar narkotikë të kutivuar në kubikë.
Gjithashtu, gjatë operacionit u godit edhe një rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis, vihet në pranga poseduesi i saj.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blinisht”.
Si rezultat i këtij operacioni është goditur një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Për këtë rast është arrestuar në flagrancë shtetasi A. S., 34 vjeç, banues në Blinisht, Lezhë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në territorin në afërsi të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 230 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët ishin kultivuar në kubikë.
Gjithashtu, gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi M. L., 24 vjeç, banues në Blinisht, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën në afërsi të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.