Lezhë – Finalizohet operacioni i koduar “Tjetërsimi i Lagunës”

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë Lezhë, operacioni i koduar “Tjetërsimi i Lagunes” për goditjen e veprimtarive të paligjshme në zonat e mbrojtura.
Vihen në pranga drejtori dhe 2 punonjës të AdZM Lezhë. Shpallet në kërkim 1 punonjës tjetër.
Operacioni është në vijim, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në kuadër të planit të masave për ruajtjen e zonave të mbrojtura nga veprimtaritë e paligjshme, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara se në zonën e mbrojtur “Laguna Kune-Vain” po kryhej veprimtari e paligjshme, pas një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tjetërsimi i Lagunes”.
Si rezultat i këtij operacioni janë ndaluar 3 shtetas, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin e datës 03.06.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, konkretisht:
– P. T., 61 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë drejtor i AdZM Lezhë;
– A. Ll., 27 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë specialist i Sektorit të Monitorimit pranë AdZM Lezhë;
– T.Gj., 63 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë roje mjedisore i AdZM Lezhë.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit P. N., 61 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Monitorimit në AdZM Lezhë.
Këta shtetas nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore për funksionet e tyre. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit, konkretisht në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Matkeqës”.
Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.