Lezhë/Arrestohet në flagrancë drejtuesi i një automjeti, në gjendje të dehur në masën 2.32 mg/l

Lezhë / Vijojnë kontrollet intensive për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Arrestohet në flagrancë drejtuesi i një automjeti në gjendje të dehur në masën 2.32 mg/l.

Në kuadër të planit të masave për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, shërbimet e Policisë Rrugore kanë intensifikuar kontrollet në zonat turistike dhe në akset me fluks të lartë automjetesh.

Shërbimet e Policisë morën informacion për një drejtues automjeti që dyshohej se po qarkullonte në gjendje të dehur në zonën e plazhit të Shëngjinit.

Pas kontrolleve në terren, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin për të cilin disponohej informacioni, në drejtim të të cilit ishte shtetasi F. G., i cili shfaqte shenja të dukshme të gjendjes së dehur dhe fillimisht refuzoi t’i nënshtrohej testit të alkoolit.

Pas shoqërimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, ky shtetas pranoi të testohej me aparatin alkooltestues Dräger, ku rezultoi:

Testi i parë *2.43 mg*/l dhe testi i dytë *2.32 mg*/l.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi F. G., 75 vjeç, nga Kosova, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të mos drejtojnë automjetet nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur apo nën efektin e substancave narkotike, pasi sjellje të tilla përbëjnë rrezik të shtuar për jetën dhe sigurinë në rrugë.

Në këtë periudhë me fluks të lartë qarkullimi dhe pushuesish, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur përbën një kërcënim serioz për jetën e të gjithëve.

Respektoni rregullat e qarkullimit, mbroni jetën!