Kurbin/Vijon operacioni i koduar “Koordinata”, goditet 1 rast i kultivimit të bimëve narkotike

Kurbin / Vijon operacioni policor antikanabis i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë operacionit, në një parcelë në Fushë-Milot, janë gjetur dhe asgjësuar 50 bimë narkotike cannabis sativa.

Autori i dyshuar, shtetasi A. P., 34 vjeç, u kap në flagrancë duke u përkujdesur për bimët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve të kryera me metoda proaktive, në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të territorit, në Fushë-Milot, Njësia Administrative Milot, u zbulua një parcelë me 50 bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa, të kultivuara ndërmjet një kulture misri.

Bimët u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Gjatë ndërhyrjes, në parcelë u kap në flagrancë shtetasi A. P., i cili u arrestua për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për veprime të mëtejshme, për bashkëshorten e tij, shtetasen E. P., 26 vjeçe, pasi dyshohet se ka qenë në dijeni dhe bashkëpunim në këtë veprimtari të kundërligjshme.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

Operacioni policor antikanabis “Koordinata” vijon, pa ndërprerje, në të gjithë territorin e vendit.

#angazhimpërkushtimsakrificë
#tëvendosurkundërkrimit ✅
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve
#denonconë112