Kurbin – Qarkullonte me mjet me leje drejtimi të falsifikuar, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari

Qarkullonte me mjet me leje drejtimi të falsifikuar, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari.

Gjatë kontrollit në mjet i gjendet edhe një armë e ftohtë (thikë).

Shërbimet e Policisë Rrugore dhe forca e posaçme “Shqiponja” në DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në të gjithë qarkun Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave që qarkullojnë me sende të jashtëligjshme në automjet, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në qytet Laç, kanë ndaluar mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin A. M.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit nga Policia Rrugore, ky shtetas ka paraqitur një leje drejtimi të falsifikuar. Forcat e pocaçme “Shqiponja” kanë vijuar kontrollin brenda në automjet, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë të ftohtë (thikë).

Në vijim të veprimeve, specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 39 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta “

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.