Kurbin
Plagosi me armë zjarri, një 25-vjeçar, gjatë një konflikti të çastit, mbërritja e menjëhershme e Policisë mundëson arrestimin në flagrancë të autorit.
Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit pistoletë, me të cilën u krye plagosja.
Rreth orës 12:00, sapo janë njoftuar për një plagosje me armë zjarri, në hyrje të Mamurrasit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Kurbin, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për të kapur përgjegjësin/t.
Si rezultat u bë kapja e menjëhershme në flagrancë dhe vënia në pranga e shtetasit E. P., 21 vjeç, banues në Mamurras, i cili dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasin J. N., 25 vjeç, banues në Mamurras. Arma e zjarrit u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë.
I plagosuri po transportohet në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.