Kurbin/Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë parandalon vjedhjen në një dyqan

Kurbin

Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë parandalon vjedhjen në një dyqan në Mamurras.

Hyri i maskuar dhe me kapuç, për të vjedhur në një dyqan, pasi theu me çekiç xhamin e derës, gjatë natës, kapet në flagrancë nga shërbimet e Policisë dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

Sekuestrohen çekiçi, maska, kapuçi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, pas marrjes së njoftimit se një shtetas i maskuar po tentonte të vidhte në një dyqan ushqimor në Mamurras, kanë organizuar punën dhe janë nisur menjëherë drejt adresës së dhënë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në dyqan, autorin e dyshuar, me maskë dhe me kapuç, duke mbajtur një dorë një çekiç me të cilin dyshohet se kishte thyer xhamin e derës së dyqanit.

Nga veprimet hetimore u identifikua autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi A. M., 36 vjeç, banues në Mamurras, i cili u arrestua në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i mjeteve për vjedhje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.