Kurbin / Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon një ngjarje të rëndë kriminale.
Me armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje, kapet e vihet në pranga një 37-vjeçar.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se ka qëlluar në ajër gjatë konfliktit.
Shpallen në kërkim 4 shtetas të përfshirë në konflikt.
Pas njoftimit për një konflikt fizik ndërmjet disa shtetasve, rreth orës 11:00, në rrugën “Kurbini”, Laç, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë ndërhyrë menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit fizik ndërmjet 5 shtetasve, gjatë të cilit dyshohet se është qëlluar edhe me armë zjarri.
Nga veprimet e shpejta u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Rr., alias K. T., 37 vjeç, banues në Tiranë, të cilit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri e tipit “Glock”, me fishek në fole gati për qitje.
Nga të dhënat e para rezulton se shtetasit e tjerë të përfshirë në këtë konflikt, të identifikuar me iniciale G. D., 27 vjeç, banues në Tiranë; E. Sh., 29 vjeç; E. Sh., 34 vjeç; si dhe E. R., 32 vjeç, banues në Laç, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt, nga i cili nuk ka të dëmtuar.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në bashkëpunim.