Kurbin, Lezhë – Goditet një rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla

Vihen në pranga 2 shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike kokainë.

Sekuestrohet lënda narkotike kokainë e ndarë në doza, gati për shitje, dhe një automjet.

Shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën Operacionale në DVP Lezhë, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa shtetas që lëviznin me automjet, posedonin lëndë narkotike kokainë, në Milot, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar mjetin e dyshuar tip “Renault”.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj drejtuesit të automjetit, shtetasit G.J., dhe pasagjerit në këtë mjet shtetasit G. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur lëndë narkotike kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve G. J., 20 vjeç dhe G. S., 43 vjeç, banues në Kurbin.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.